Takimet letrare të Klubit “Miqtë e Dritëroit”

Bashkengjitur, nje kronike e permbledhur e Z. Skender Demolli rreth aktivitetit poetik te fundjaves ne qytetin e Bilishtit titulluar:
“Skender Kodra si nje dasmor nga Amerika, me “Kuajt e Eres” ne Devoll, ku festojne 85 – vjetorin e lindjes se Driteroit”

Takimet letrare të Klubit “Miqtë e Dritëroit”, në Bilisht janë vërtet festa poetike, po në këtë vit të 85 – vjetorit të lindjes së poetit, emrin e të cilit mban ky klub, ato kanë edhe të veçantën e tyre dhe, dollia për shëndetin e Agollit – “Nder i Kombit” pihet me fund e gëzimi është edhe më i madh. Kështu ndodhi edhe të shtunën e fundit të këtij muaji të parë të vjeshtës, ku artistët nga Devolli, por edhe miq e të ftuar nga Klubi “Bota e Re” Korçë, “Miqtë e Lazgushit” Pogradec, poetë nga Tirana, Shoqata atdhetare – kulturore “Devolli” etj. patën mes tyre sivëllain e tyre të zemrës e të letrave, poetin Skënder Kodra, ardhur nga Amerika, ku punon e jeton si emigrant, për të promovuar vëllimin e tij të ri poetik “Kuajt e Erës” botuar nga “NACIONAL” 2016.
Një dhuratë simbolike ky libër me mbi 70 vjersha, ku S. Kodra përmes vargjeve të përngarkuar me emocion, ndan mallin e brengën me bashkatdhetarët e tij në vendlindje, por njëherazi fjala e tij e thjeshtë poetike është edhe një dëshmi e qënies shqiptar e devolli, e njohjes dhe rinjohjes të atdheut e njerëzve të tij dhe dashurisë për atë kudo që ata jetojnë, e cila me sikurin e “Kuajve të Erës” i sjell ata ashtu si poetin sa herë duan, pranë ëndrrës dhe pranë mëmës.
Takimin e moderoi studiuesi dhe shkrimtari Kosta Nake, që vlerësoi poetin Kodra për ndjeshmërinë në intimitetin e zërit vetjak, freskinë dhe frymën origjinale në kërkim të hapësirave të reja shprehëse. Poezitë e Skënder Kodrës vuri në dukje prozatori Istref Haxhillari, i cili është edhe redaktor i këtij libri, janë mbrujtur me lëndën e shpirtit të tij, me atë materien e çuditëshme që “mokra e mullirit të kohës” siç thotë poeti, nuk e bluan ashtu si vitet e jetës e nuk mund ta zbehin as largësitë.
Duke folur për fjalën poetike si mëshirim të etikës dhe estetikës, liriku Skënder Rusi dhe kritiku Oliver Topçiu veçuan vargun e natyrshëm të Kodrës, si një vlerë që në ngjizje të poezisë së tij e, deri në përcjelljen e kumtit e komunikimin e qartë me lexuesin. Jo vetëm kaq, por S. Kodra shfaqet përmes metaforave të gjetura si bashkëbisedues që shkakton trazime të shumëllojshme në shpirtin dhe mendjen e lexuesit, do të shtonte poeti Vladimir Toroveci. Kurse poeti dhe këngëtari Endri Fifo, përpos larmisë tematike vlerësoi te Kodra elegancën e mjeshtërinë me të cilën populli ka gdhendur vargjet e tij në shekull, të cilën poeti nuk e ka anashkaluar, por duke u mbështetur tek ajo dhe urtia e filozofia e tij, poezia e Kodrës është plot jetë e kolor dhe, bota njerëzore e lidhur me fshatin dhe natyrën, si një burim ka ushqyer mjaft motive të krijimtarisë së poetit.
Për komunikimin me botën poetike të autorit, përgjegjshmërinë si njeri i kohës në shqetësimet poetike të S. Kodrës, folën edhe poetja Matilda Meço, përkthyesi A. Kallço, poeti A. Shaholli, studiuesit P. Agolli e S. Agolli, F. Xhani, R. Vangjeli, M. Çallo etj. Mes këtij gëzimi që pjesëmarrësit e përcollën edhe me vargje të zgjedhura nga libri, poeti S. Kodra ndihej vërtet si një dasmor i ardhur nga larg përtej “Paqësorit”, me “Kuajt e erës”, këtë herë jo për të marrë në një lajthi nga vendlindja petkat e nuses, si në mitologji, por për të marrë më tepër fuqi në aventurën e tij krijuese.
Të pranishmit në këtë veprimtari mbresëlënëse në këtë krahinë të largët në juglindje të vendit, me tradita aq të pasura në art e kulturë, i përshëndeti në emër të Bashkisë Devoll Znj. Elda Demçolli – Drejtore Kulture Bilisht, Guri Seferi – kryetar i shoqatës “Devolli” dhe Lefter Babi – kryetar i Klubit “Miqtë e Dritëroit”, i cili theksoi vazhdimësinë e veprimtarive të tilla kulturore, në kuadër të 85 – vjetorit të lindjes së poetit tonë të madh, emrin e të cilit mban ky Klub Letrar si dhe autori i vëllimit “Kuajt e erës” që u promovua me sukses z. Skënder Kodra.
S.Demolli.

 

14440662_362156797506738_5782705233165674575_n 14446022_362153257507092_1165338014599529082_n-1 14448969_362156670840084_5360242345826285062_n 14492355_362156554173429_3890341572640086850_n-1 14502760_362156900840061_7657230737237834920_n

 

 

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *